Biblioteka e CILA-s
Biblioteka shqip është një nga projektet më të hershëm të Qendrës Ndërkulturore CILA, realizimi i të cilit filloi fill pas themelimit të shoqatës. Duke pasur për qëllim mbushjen e atij boshllëku që krijoi te një pjesë e mirë e emigrantëve shqiptare pamundësia e kontaktit të vazhdueshëm me librin shqip, jemi përpjekur ta zgjerojmë vazhdimisht fondin e librave si me vepra klasike te literaturës shqip ashtu dhe me botime të reja të viteve të fundit. Pushimet e verës duke qenë rasti ideal për të shëtitur nëpër libraritë por edhe trotuareve të Tiranës në kërkim të « thesareve » letrare, jemi të lumtur t’ju njoftojmë që biblioteka është pasuruar me mjaft botime të reja, ndër të cilat veçojmë librat e fundit të Kadaresë « Aksidenti » dhe « Darka e gabuar », librin e botuar post mortem te At Zef Pllumi « Histori kurrë e shkrueme », një botim të « Formulës së pagëzimit »- dokumentit të parë të shkruar të gjuhës shqipe si dhe përmbledhjet e intervistave të kryera nga gazetarët e njohur Blendi Fevziu « Opinion » dhe Sokol Balla « 33 ». Përfitojmë këtu nga rasti të falenderojmë Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Republikës së Shqipërisë dhe në mënyrë të veçantë ministrin, z. F. Xhaferaj për ndihmën shume bujarë që i dhanë komunitetit shqiptar në Luksemburg, duke i dhuruar bibliotekes së CILAs rreth 200 botime interesante, duke filluar nga vepra të rilindasve shqiptare, vepra të shquara të albanologjisë si dhe biografi të personazheve të shquar të kulturës dhe të artit shqiptar.
Bashkë me rreth 500 libra, biblioteka e CILAs ofron dhe një numër DVD në gjuhën shqipe, kryesisht për fëmijë, por edhe filma shqiptarë të viteve të fundit.
Disponibiliteti i një pjese të madhe të këtij materiali mund të konsultohet online, ashtu siç mund të bëhet online edhe prenotimi i tyre. Shpresojmë që brenda muajit shtator të vemë në linjë të gjithë arkivin e bibliotekës sonë.

Përditësue ( E martë, 31 Gusht 2010 00:00 )
|
|





Urime Kosoves dhe gjith shqiptareve kudo qe jane!